Deklaratë për shtyp Berlin, Gjermani 25 shtator 2013

Deklaratë për shtyp Berlin, Gjermani 25 shtator 2013

 

Konferenca e Komisioneve Europiane për Drejtësi dhe Paqe

Deklarata përfundimtare e Workshopit ndërkombëtar mbajtur në Berlin më 20 – 22 shtator 2013

 

Ballafaqimi me të kaluarën e dhunshme dhe me pasojat e diktatures si një sfidë për shoqëritë europiane

Puna në të mirë të paqes na vendos shpeshherë përballë realitetit të frikshëm të dhunës në të gjithë kohështrirjen e tij në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Në europën e ditëve tona, dhuna e së shkuarës rëndon ende mbi të tashmen dhe hija e saj zgjatet edhe në drejtim të së ardhmes. Në përpjekje për të kuptuar më mirë shkaqet dhe pasojat e kësaj dhune, Konferenca e Komisioneve Europiane për Drejtësi dhe Paqe u mblodh në Berlin nga data 20 deri më 22 shtator 2013 për të reflektuar mbi këto çështje duke marrë si shembull konkret përvojën gjermane.

 

Në qendër të vëmendjes sonë ishin sidomos përmasat e dhunës së diktaturave, përdorimi i shtypjes dhe terrorit për qëllime politike, si dhe pasojat e tmerrshme të luftës së filluar nga regjimi Nazist. Analiza jonë përfshiu tipe të ndryshëm regjimesh, ideologjish dhe metodash. Patëm rastin të vizitojmë vende si ish kampi i përqendrimit Sachsenhausen, ekspozitën “Topografia e terrorit në ish shtabin e Gestapos, muzeumin e Stasit, is burgun e Stasit në Hohenschonhausen, si dhe në ekzpozitën fotografike “Dëbimi dhe Pajtimi” mbi tematikën e refugjatëve të luftës në Europë gjatë shek. XX.

Përmes këtyre vizitave, falë edhe kontributit të ekspertëve më në zë të fushave përkatëse, mundëm të thellonim më tej të kuptuarit e natyrës së kësaj lloj dhune dhe pasojat e saj mbi të dëmtuarit. Kjo pastaj na bëri të marrim të konsideratë ndikimin e kësaj së kaluare në ditët tona si dhe çfarë mësimi mund të nxjerrim për të ardhmen.

Gjatë këtyre ditëve duke ndjekur gjurmët e viktimave dhe të personave përgjegjës për vuajtjet e tyre, arritëm në përfundimin e pashmangshëm që elementi më thelbësor për të arritur paqen, drejtësinë dhe pajtimin, është dinjiteti njerëzor. Duke reflektuar mbi terrorin dhe dhunë përmes këndvështrimit të viktimave, pasojat janë shumë të qarta: shkatërrimi i vlerësimit për veten; humbje e ndjesisë së sigurisë dhe të përkatësisë në shoqërinë njerëzore. Të ndodhur përballë sfidës për t`i parë gjërat edhe sipas perspektivës së persekutorëve, vumë re se si ushtrimi i dhunës e dëmton dinjitetin njerëzor duke na bërë të fshihemi pas shfajësimit se këto janë rregullat e sistemit dhe ne bëjmë thjesht detyrën. Nga individëve të pavarur, ne shndërrohemi në pjesë të një makine.

Si përfundim, dinjiteti njerëzor, themeli i të drejtave të njeriut, duhet të jetë vlera kryesore që të na  orientojë në qasjet tona kundrejt sfidave të së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes.

Duhet të sigurohemi që këto vuajtje të mos shfrytëzohen nga ata që kanë interes të ripërtërijnë konflikte dhe të mbjedhin përçarje mes shoqërisë ose kombeve të ndryshme duke përdorun të shkuarën si fushë-betejë për luftat e së tashmes.

Gjatë këtij proçesi u njohëm edhe më të vërtetën shqetësuese që shumicave e personave përgjegjës për genocidin ndaj hebrenjve të Europës, nuk janë vënë para drejtësisë. Po ashtu, shumica e nazistëve, komunistëve dhe të tjerë përgjegjës për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të të drejtave të njeriut, nuk kanë dhënë llogari për ato që kanë bërë. Edhe pse asgjë nuk mund t`ua kompensojë viktimave vuajtjet që kanë hequr, puna për të arritur pajtimin nuk mund të ketë karakter abstrakt. Ajo duhet të mbështetet në analiza konkrete të cilat nxjerrin në pah dhe nivelet e ndryshme të përgjegjësisë, por gjithnjë duke marrë parasysh nevojat e viktimave dhe komuniteteve të përfshira.

Edhe pse nuk ekziston një model kallëp për proçesin e pajtimit, të paktën mund të marrim disa masa të qarta për të shmangur keqpërdorimin e këtij termi dhe abuzimin me të. Proçeset që mbështeten në nxitjen e harresës së të shkuarës, ose që i pengojnë viktimat në hulumtimin e tyre për zbardhjen e së vërtetës, janë gjithashtu sulme në dëm të dinjitetit njerëzor. Po ashtu, duhet të ruhemi edhe nga përgjithësimi i fajit sepse duhen marrë parasysh nivelet e përgjegjësisë dhe konteksti në të cilin gjarje të caktuara ndodhin.

Ballafaqimi me këto plagë të së kaluarës përbën një sfidë për të gjithë ne në rrafshin personal, shoqëror dhe kombëtar. Është shumë e rëndësishme që gjatë këtij proçesi të jemi të hapur për një analizë autokritike. Që të arrihet pajtimi, kërkohet të kapërcehet hendeku i mosbesimit dhe të vendosen marrëdhënie të reja bazuar në respektin reciprok. Padyshim, edhe faktori i frikës është një pengesë serioze sepse si individë po si grupe shoqërore, në mund të ngurrojmë të tregojmë hapur dobësitë tona. Mund të kemi frikë të pranojmë pjesën tonë të përgjegjësisë për dhunën në të kaluarën nga pasiguria se edhe të tjerët do të bëjnë të njejtën gjë.

Kishat kanë rolin kyç të përcaktimit të një kornize morale brenda së cilës e vërteta mbi të kaluarët mund të trajtohet, të hulumtohet dhe të kuptohet. Në këtë kuadër, kishat duhet të japin shembullin personal duke u angazhuar në analiza autokritike mbi rolin që kanë luajtur gjatë sundimit të regjimeve diktatoriale dhe pas shembjes së tyre, bazuar mbi vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe solidaritetit. E mbi të gjitha, kishat mund t`u rrëfejnë shoqërive përkatëse udhën e faljes e cila do të na jepte një mundësi më shumë për një liri të re dhe një përtëritje rrënjësore të marrëdhënieve.

Jemi të ndërgjegjëshëm se proçesi i të mësuarit që përjetuam në Berlin është pjesë e konceptit më të gjerë se si Kisha vazhdon të mësojë mbi historinë, kujtesën dhe pajtimin. Një prej shprehjeve më të fuqishme me të cilën u hasëm këto ditë, ishte thirrja e Papa Gjon Palit II në homilinë e Ditës së Faljes (12 Mars 2000) për të pranuar pjesën tonë të përgjegjësisë si të krishterë për të këqijat që janë sot mes nesh dhe për të kërkuar falje, por edhe ne nga ana jonë të falim ata që na kanë bërë padrejtësi. Në burgun Plotzensee patëm rastin të përkujtojmë sakrificën e At. Alfred Delp SJ dhe Helmut von Moltke që u dënuam me vdekje sepse vlerat e tyre kristiane nuk përputheshin me veprat e mbrapshta të regjimit nazist.

Përvoja jonë këtu e ritheksoi rëndësinë e madhe të monumenteve historike dhe të vendeve të përkujtimit. Pa ndihmën e tyre, brezat pasardhës nuk mund të ndërtojnë një botëkuptim të saktë mbi të kaluarën. Këto vende na japin një mundësi të shkëlqyer për të pasuruar jo vetëm mendjet, por edhe zemrat tona. Ajo që ndodhi në shumë diktatura dhe luftëra në të kaluarën, ku njerëz të arsimuar pranuan të bëheshin pjesë e makinerisë, është tregues i qartë se shkollimi formal nuk mjafton për të qenë në gjendje të kuptosh vlerët e qënies njerëzore.

Po ashtu, kjo përvojë në Berlin na bëri të shohim veten me sy kritik për sa I përket reagimeve tona kur vërejmë nëpërkëmbje të dinjitetit të njeriut sot. E dimë se në shoqëritë tona ka vende ku njerëzit mbahen të veçuar, vende këto që në të ardhmen mund të bëhen përkujtimore të shkeljes së të drejtave të njeriut. E çfarë duhet të bëjmë ne tani? Të rrimë duarkyq ndërkohë që dinjiteti I të tjerëve shkelet e përdhoset?

Në fund të fundit duhet të pranojmë se kujtimi I kësaj të kaluare nuk sjell vetëm dhimbje. Nuk mund të mos frymëzohesh nga shembulli i atyreqë luftuan për të mbrojtur jo vetëm dinjitetin e tyre, por atë të të gjitha qënieve njerëzore në kushtet më të tmerrshme. Përvoja si kjo të bëjnë të kujtosh se edhe diktaturat në dukje të pathyeshme, herët a vonë do të shkërmoqen dhe tu hapin rrugën marrënieve të reja. Kjo mund të vërehet jo vetëm në historinë vetjake të këtij apo atij kombi, por edhe në idenë më të gjerë të vetë Bashkimit Europian. Përvoja so kjo janë shpresëdhënëse për vende të cilat aktualisht po përjetojnë, apo sa kanë dalë nga një konflikt i dhunshëm.

Konferenca e Komisioneve Europiane për Drejtësi dhe Paqe dëshiron t`u shprehë falenderimet më të thella gjithë atyre që e e bënë të mundur këtë përvojë: mikpritësit tanë, Komisionin Gjerman për Drejtësi dhe Paqe, kapelanin ushtarak të Gjermanisë për ndihmesën bujare në mbështetje të këtij program, fondacionin Maximillian Kolbe dhe të gjithë patnerët tanë të dialogimit, sidomos komunitetin e Regina Martyrum, ku edhe kremtuam momentin kulmor simbolik të gjithë punës sonë.

 

Për informacione të mëtejshme ju lutem kontaktoni:

Stefan Lunte, Sekretar i Përgjithshëm i Drejtësi dhe Paqe Europa

e-mail: secretary@jupax-europa.org