Date:December 18, 2013

Blood Feud in Rrethina Commune

studimi-i-rrethinave

Ky studim në anglisht me titullin që në shqip do të thotë “Gjakmarrja në Komunën Rrethina” u përfundua dhe u botua nga Komisioni Drejtësi dhe Paqe në vitin 1997. Fenomeni i gjakmarrjes në Shqipëri dhe lufta kundër tij ka qenë në qendër të veprimtarisë së KDP që prej themelimit të tij e deri në ditët që flasim (mars 2014). Në kohën kur u zhvillua ky studim, në radhët e stafit të KDP bënin pjesë një numër i konsiderueshëm specialistësh në fushat e së drejtës, historisë dhe sociologjisë. Ishte në interesin e gjithë aktorëve të shoqërisë shqiptare që të përpilohej një pasqyrë sa më e saktë për situatën e fenomenit të gjakmarrjes në vend në mënyrë që palët e interesuara, ku përfshiheshin autoritetet vendore si dhe OJQ-te e shoqërisë civile të hartonin planet e veprimit, sipas kapaciteteve të gjithsecilit, për të kontribuar në lehtësimin gradual të këtij fenomeni dhe pasojave të tij. Përveç të dhënave të thata statistikore, studimi kishte për qëllim edhe t`i siguronte lexuesit një analizë të rrethanave historike të shkaqeve të ekzistencës së një fenomeni primitiv në Shqipërinë e fundit të shek.XX. Duke mos pasur mundësi për të zhvilluar një studim i cili të mbulonte gjithë hartën e vendit, u pa e arsyeshme që të përzgjidhej një zonë “kampion” e cila ofronte karakteristikat e nevojshme, dhe si e tillë, objekti më i përshtatshëm për studim ishte Komuna Rrethina e përbërë prej 10 fshatrave në priferi të qytetin të Shkodrës. Në botim jepen sqarime të hollësishme mbi njësitë administrative që përbëjnë komunën, historinë e tyre, si dhe lëvizje demografike që ata kanë pësuar në fillim të viteve 90. Studimi është botuar në anglisht për të arritur një audiencë sa më të gjerë ndërkombëtare me qëllim informimin e tyre dhe mundësitë për bashkëpunime.